Agjencia e Krimit në Britani: Grupet shqiptare po dominojnë fermat e kanabisit

Grupet shqiptare po dominojnë tregun e fermave të kanabisit ndërsa shfrytëzojnë ligjet moderne të skllavërisë për të shmangur ndjekjen penale, ka paralajmëruar Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani, (NCA).

Hetuesit e NCA thonë se shqiptarët sollën një profesionalizëm të pamëshirshëm në kultivimin e kanabisit që zëvendësoi vietnamezët si burimi kryesor i drogës së prodhuar në vend.

Pas marrjes nën kontroll të tregut të kokainës në Londër dhe në juglindje të Anglisë, bandat shqiptare kanë sjellë gjatë pesë viteve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar ekspertizën e fituar në kulturën industriale të kanabisit në vendin e tyre të origjinës.

“Ata sollën ekspertizën e tyre, kultivuesit e tyre të kanabisit, kopshtarë siç i quajmë ne, elektricistët e tyre, animatorët e tyre, pajisjet e tyre hidroponike. Gjithçka që ju nevojitet për ta zhvilluar me sukses në një shkallë industriale. Nëse flet vetëm me efektivët e policisë, problemi më i madh me kanabisin për momentin janë shqiptarët. Me kanabisin vjen edhe dhuna, kryesisht sepse grupe të tjera tentojnë të grabisin shqiptarët dhe anasjelltas. Kjo do të çojë në dhunë, armë dhe shumë plagosje me thikë dhe rrëmbime dhe një dhunë mjaft ekstreme. Është diçka për të cilën jemi të vetëdijshëm tani. Ne besojmë se është në rritje. Ky është një problem real për ne”, tha oficeri i inteligjencës NCA, Ged McCann.

Kur policia bastis ndërtesat industriale të papërdorura ose banesat që strehojnë ferma kanabisi, “punëtorët” shpesh pretendojnë se trafikohen dhe shfrytëzohen për të shmangur ndjekjen penale dhe dëbimin.

Në raportin e saj vjetor strategjik, NCA vuri në dukje se shtetasit shqiptarë “u raportuan gjithnjë e më shumë se shfrytëzoheshin në kultivimin e kanabisit në Angli dhe Uells, të ndikuar kryesisht nga ndryshimet në kontrollin e tregut”.

Megjithatë, një burim i NCA tha: “Ata do të pretendojnë se janë viktima të trafikimit modern dhe nuk duhet të ndiqen penalisht. Ne sinqerisht besojmë se ata e dinë se çfarë po bëjnë. Ata nuk janë të detyruar, por janë atje për të fituar para”.

Një rast verën e kaluar zbuloi katër “kopshtarë” shqiptarë, të cilët u kapën me 70 bimë dhe 100 kg kanabis të korrur nga një shtëpi në Uellsin jugperëndimor, duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre nëse ktheheshin në Shqipëri për shkak të borxheve të papaguara ndaj bandës që i solli ata në Britaninë e Madhe.

Bandat shqiptare iu kthyen kanabisit sepse është me “rrezik shumë, shumë të ulët”, gjeneron fitime të mira për shkak të kërkesës së lartë. Raportet treguan se britanikët konsumuan 240 ton drogë me vlerë 2.4 miliardë paund vitin e kaluar dhe kanabisi, nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar, sepse është prodhim vendas, thotë NCA.

“Nëse dikush kapet dhe arrestohet, nuk do të përballet me dënim të ashpër. Është e lehtë për t’u instaluar pajisjet e këtyre fermave. Shto këtu në ofertën e pakufizuar të fuqisë punëtore të lirë dhe shqiptarët, e kanë thjesht një mënyrë shumë fitimprurëse për të punuar”, tha McCann.

Kostoja e vetme kryesore është vendosja e ndriçimit, pas së cilës energjia elektrike shpesh vidhet nga rrjeti.

“Por sa për qind e tregut është shqiptar, nuk e dimë realisht. Në mënyrë anekdotike, shumica e konfiskimeve të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar kanë një lidhje me Shqipërinë,” shroi McCann.

Bandat shqiptare dominojnë tregun e kokainës në Anglinë juglindore, pasi kanë krijuar lidhje me prodhuesit e Amerikës së Jugut për ta sjellë drogën direkt në Europë me kosto më të ulët dhe cilësi më të pastër. Ata furnizojnë jo vetëm bandat shqiptare, por edhe britanike si tregtarë efektivë të drogës.

Të Fundit