Abuzime me tendera/ KLSH kallëzon në SPAK 8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy punonjës të ATRAKO pasi ka konstatuar në shkelje të kryera lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.

Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartpërmendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë.

Gjithashtu nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”-thuhet ne njoftimin e KLSH.

Të Fundit