Abritrariteti i drejtoreshës, heq pa motiv punonjësen nga puna: të ankohet! 27 qershor 2018 – Stop
Të Gjitha

Abritrariteti i drejtoreshës, heq pa motiv punonjësen nga puna: të ankohet! 27 qershor 2018

Elisabeta Gjoka, specialiste auditi në Ndërmarrjen e Trajtimit të Studentëve Nr. 2, u ankua në emisionin “Stop” se është hequr nga puna në mënyrë arbitrare nga drejtoresha Zhanina Dapi, pa dhënë një argument ligjor.

“Në vitin 2015 jam emëruar specialiste auditi nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili ka si kompetencë emërimin dhe shkarkimin e auditëve. Në datën 30.04.2018, me ardhjen e drejtoreshës së re, rikonfirmohem si specialiste auditi. Në datën 08.06.2018, drejtoresha Zhanina Dapi ka firmosur një njoftim, ku më lajmëron që duhet të shkëpus marrëdhëniet e punës, por pa motivacion, vetëm mbështetur në nenin 144 të Kodit të Punës” , rrëfeu specialistja e auditit.

Ajo gjithashtu tha se ka kërkuar takim me drejtoreshën Zhanina Dapi, por kjo e fundit nuk e ka pritur. Këtë fakt, zonja Gjoka e provoi edhe nëpërmjet regjistrimeve audio me sekretaren.

Dita 1

Qytetarja – Është drejtoresha aty?

Sekretarja – Po!

Qytetarja – A fole gjë, apo t’i shkruaj?

Sekretarja – Fola, por është e zënë!

Qytetarja – Ah, ok!

Dita 2

Qytetarja – Përshëndetje! A ka mundësi që të flisni pak me drejtoreshën?

Sekretarja – Është e zënë.

Qytetarja – Është në takim? Po dje nuk i the gjë që e prisja?

Sekretarja – Po i thashë moj, pse e vini në dyshim?

Qytetarja – Jo, nuk e vë në dyshim. Unë thjesht pyeta, meqë…

Sekretarja – Pse pyet pra?

Qytetarja – A më the që është e ngarkuar, është me njerëz…

Sekretarja – Po, pra!

Qytetarja – E thashë, ndoshta nuk është lajmëruar fare, ndaj thashë…

Sekretarja – Po jo me, po mos të lajmërohej fare nuk do ta thosha që është e ngarkuar.

Qytetarja – Ok, në rregull! Të lutem, ma lajmëro që po pres!

Sekretarja – E kam lajmëruar, moj Eli.

Qytetarja – Po unë thashë që ta lajmërosh edhe sot!

Sekretarja – O Eli, unë nuk do të jap llogari ty, e dashur!

Qytetarja – Po nuk po të them, më jep llogari, unë thashë…

Sekretarja – Po pse pra, bën sjellje urdhërore, pra…

Qytetarja – Po jo, pra! Unë po të flas shumë mirë. Ti po keqkuptohesh!

Sekretarja – Jo po kshu, jo po kshu…kur të ketë mundësi, do të them unë moj goce.

Duke mos iu dhënë mundësia për ta pyetur vetë drejtoreshën e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2 për arsyen e ndërprerjes së marrënieve të punës, iu drejtua Burimeve Njerëzore të këtij institucioni.

Qytetarja – Ajo (drejtoresha) i ka nxjerrë shkaqet që do të zgjidhi kontratën, apo thjesht do t’i japi nesër?

Burimet Njerëzore – Tani, unë do t’i them nesër, në orën 9-të, t’i themi të gjitha se sot po them jam aq e lodhur…Do t’i dëgjosh të gjitha nesër!

Qytetarja-Ok!

Burimet Njerëzore – Pra..dhe do jetë Komisioni..

Qytetarja – Në rregull! Ok!

Burimet Njerëzore – Do të dëgjohen pretendimet e tua, do të themi edhe neve se çfarë të takon dhe se çfarë s’të takon atë…

Qytetarja – Po mirë!

Burimet Njerëzore – Dhe pastaj brenda 48 orëve nga data e takimit, nga e nesërmja, deri në një javë, merret vendimi.

Qytetarja – Ok!

Në datën 12.06.2018 Elisabeta Gjoka u paraqit te Komisioni i Disiplinës, ku i thanë se nuk ka asnjë shkak ligjor për t’iu zgjidhur kontrata e punës.

Komisioni i Disiplinës – Njoftoheni për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, për kontratën individuale me punëdhënësin, për këtë zgjidhje të marrëdhënieve të punës me punëdhënësin. Neve do diskutojmë tani për të gjitha pretendimet që keni në lidhje me të.

Qytetarja- Atëherë, para se unë të jap pretendimet e mia, unë dua arsyet që drejtoresha ka që duhet të zgjidhi kontratën me mua.

Komisioni i Disiplinës – Nuk është se ka shkak ligjor, po themi… sepse pastaj do ishim në një zgjidhje tjetër. Do ishim në një nen tjetër të Kodit të Punës. Do ishte zgjidhje me shkaqe të arsyeshme. Nuk ka shkak ligjor!

Ndërkohë që në nenin numër 144 të Kodit të Punës thuhet se zgjidhja e kontratës së punës njoftohet me shkrim brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit. Në njoftimin me shkrim, punëdhënësi përcakton arsyet e zgjidhjes së kontratës, të cilat lidhen me shkaqe të tilla si aftësia, sjellja e punëmarrësit ose kërkesat operacionale të ndërmarrjes.

“Duke qenë se jemi në fazat e njoftimit për shkëputjen e marrëdhënieve të punës, i bëj thirrje drejtoreshës që para se të nxjerrë një vendim të gabuar, të reflektojë sepse ka hyrë në kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, i cili bën shkarkimin dhe emërimin e auditit, si dhe nuk ka një arsye ose shkak ligjor për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës!”, u shpreh denoncuesja.

Gjatë një bisede telefonike me gazetaren e emisionit “Stop”, drejtoresha e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2, Zhanina Dapi tha se zgjidhja e kontratës së punës mund të bëhet edhe pa motivacion.

Drejtoresha Dapi – Përshëndetje!

Gazetarja – Jam Odeta nga emisioni “Stop”. Në formatin tonë ka ardhur një denoncim nga punonjësja juaj, specialistja e auditit, zonja Elisabeta Gjoka.

Drejtoresha Dapi – Ëhë…

Gazetarja – Zonja ka që në vitin 2015 specialiste e auditit. Në ristrukturimin, është konfirmuar në datë është 30.04.2018.

Drejtoresha Dapi – Po!

Gazetarja – Ndërkohë që pas një muaji i vjen një njoftim për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës.

Drejtoresha Dapi – Ëhë, po!

Gazetarja – Me justifikimin “sipas nenit 144 të Kodit të Punës”. Pyetja jonë si emision “Stop” është: Cili është motivacioni?

Drejtoresha Dapi – Zgjidhje e një kontrate ndodh dhe kur… pa motivacion konkret…,titullari ndërpret marrëdhëniet, duke njoftuar paraprakisht, në bazë të ligjit, sipas afateve ligjore dhe gjithçka tjetër, që përfiton punëmarrësi me njoftimet konkrete domethënë, normalisht. Kështu që, nuk është se duhet patjetër të ketë një motivacion, për një zgjidhje kontrate.

Gazetarja – Jo, zonjë! Neni 144 thotë: zgjidhja e kontratës së punës njoftohet me shkrim brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit. Në njoftimin me shkrim, punëdhënësi përcakton arsyet e zgjidhjes së kontratës, të cilat lidhen me shkaqe të tilla si aftësia, sjellja e punëmarrësit ose kërkesat operacionale të ndërmarrjes.

Drejtoresha Zhanina Dapi – Po pra…dhe Komisioni i referon shkakun e zgjidhjes së marrëveshjes.

Gazetarja – Zonjë, ne kemi në dispozicion një xhirim ku komisioni shprehet se nuk ka shkak ligjor! Si i jeni referuar nenit 144 kur nuk e zbatoni?

Drejtoresha Zhanina Dapi – Atëhere zonjë, mund të vini dhe të sqaroheni për të gjitha ato pyetjet e kërkesat që ju keni.

Duke qenë se vetë drejtoresha Zhanina Dapi e ftoi gazetaren e emisionit “Stop” për një takim, kjo e fundit iu drejtua Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2. Pavarësisht insistimit të gazetares për motivacionin e zgjidhjes së kontratës së Elisabeta Gjokës, drejtoresha tha se mund ta ankimojnë vendimin dhe u largua, duke pretenduar se kishte një mbledhje në bashki.

Gazetarja – Zhanina…zonja Dapi…Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”.

Drejtoresha Dapi – Po, si jeni?

Gazetarja – Tani, nuk është korrekte se ne biseduam bashkë edhe…

Drejtoresha Dapi – Jeni shumë ashtu, po unë jam në mbledhje tek bashkia. Si jeni?

Gazetarja – Po tani, duke qenë se ne jemi këtu mund të më thoni një motivacion! Kush është arsyeja?

Drejtoresha Dapi – E para, e para njëherë, më duhet të marr letrat dhe t’ju tregoj juve të gjitha arsyet e mundshme.

Gazetarja – I kam unë letrat zonjë, mos u lodhni!

Drejtoresha Dapi – Jo, jo… letrat që ne kemi në…

Gazetarja – Motivacioni i shkarkimit? Tani, nuk është korrekte kjo që ti të më lësh mua takim dhe pastaj të dalësh dhe unë të të kap në rrugë…

Drejtoresha Dapi – Është takim i papërgjegjshëm, tani në këtë moment..

Gazetarja – Zonjë, vetë më thatë që po ju pres tek zyra.

Drejtoresha Dapi Zonjë, ju thashë më prisni…!

Gazetarja – E kam të incizuar telefonatën…

Drejtoresha Dapi – Më prisni, se do të vij tek zyra!

Gazetarja – Kush është motivacioni? Sepse i jeni referuar një neni, neni 144, që thotë duhet të gjesh një shkak. Kush është shkaku?

Drejtoresha Dapi – Do t’jua jap shkakun zonjë.Të vini në zyrë dhe merreni shkakun! Dakord?

Gazetarja- Më thatë që hajdeni në zyrë dhe tani po ikni!

Drejtoresha Dapi – Do kthehem në zyrë se ju thashë prisni në zyrë, kështu që mund të shkoni të prisni tek zyra ime!

Qytetari – Pse do presi kjo në zyrë? Kush je ti? Ti s’qenke mirë! Të rroftë bukuria!

Gazetarja – Tani, mirë e ka dhe qytetari, pse duhet të pres në zyrë kur juve nuk jeni?

Drejtoresha Dapi – Po jam në mbledhje.

Gazetarja – Po juve s’jeni.

Drejtoresha Dapi – Do më prisni se do kthehem ndërkohë!

Gazetarja – Para se të shkoni në mbledhje, mund ta lexoni pak nenin 144? Jeni në shkelje sepse kemi një nen, që juve i jeni referuar, që nuk e keni zbatuar, sepse nuk keni një arsye. Këtë e verifikojmë edhe me një incizim, që kemi nga Komisioni i Disiplinës. Nuk ka shkak.

Komisioni i Disiplinës – Nuk ka shkak ligjor!

Drejtoresha Dapi – Shumë dakord! Mund të shkoni ta ankimoni në gjykatë. Nëqoftëse zonja apo kushdo tjetër nuk është dakord, ta zgjidhi në mënyrë tjetër.

Gazetarja – Tani, gjithë këto taksat..shumë bukur ja vajti… të lutem vetëm dy sekonda… vetëm një gjë, vetëm një gjë…Nëqoftëse qytetarja shkon në gjykatë dhe e ankimon këtë vendim, do t’i fusësh nga xhepi jot të gjithë këto lekët, apo nga taksapaguesit? Je e gatshme t’i nxjerrësh nga xhepi jot?

Drejtoresha Zhanina Dapi – Po! Mund të vazhdoj mbledhjen, ndërkohë që unë kthehem?

Gazetarja – Dakord!

Drejtoresha Zhanina Dapi – Dakord?

Gazetarja – Po presim…,po presim…

Por çfarë ndodhi atë ditë në Ndërmarrjen e Trajtimit të Studentëve Nr. 2? Drejtoresha Zhanina Dapi urdhëroi mbylljen e të gjithë institucionit dhe anuloi dhe pushimin e drekës për të gjithë punonjësit, duke e shpallur një rast emergjence.

Gazetarja – Përshëndetje! Si jeni? Ora është 12:08, në orën 12:00 -12:30 kjo ndërmarrje ka pushimin.

Roja – Anullohet edhe pushim për raste emergjence!

Gazetarja – Po tani, ke një punonjëse aty që do të dalë…

Gazetarja – Elisabeta, çfarë ka ndodhur?

Qytetarja – Çdo ditë në 12 me 12 e gjysmë, ne kemi pushimin e drekës dhe sot nuk na kanë lënë që ta bëjmë këtë pushim. Edhe derën, siç e shikon, na e kanë mbyllur dhe nuk na lënë që të flasim me ju.

Gazetarja – Po pse?

Qytetarja – Sepse kemi denoncuar rastin rastin, që do na largojnë nga puna pa asnjë motiv.

Pas një jave, denoncuesja Elisabeta Gjoka tregoi se drejtoresha Dapi gjeti një motivacion për zgjidhjen e kontratën së saj të punësimit, i cili ishte: “Mosplotësim i kritereve të punësimir të parashikuara në nenin 11 të ligjit 114/2015 “për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik”.

Specialistja e auditit shtroi pyetjen se nëse nuk i plotësonte këto kritere, atëherë pse u shkarkua dy muaj pas rikonfirmimit në detyrë…?

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *