27 zyrtarë “ndihmuan” në kultivimin e kanabisit

Policia nuk ka mundur të parandalojë as këtë verë kultivimin e kanabisit në zona të ndryshme të vendit. Gjatë aksioneve dhe kontrolleve ne territor, policia evidentoi se pjesë e kultivimit të lëndëve narkotike janë bërë dhe zyrtarë të shtetit. ata janë kryepleq të fshatrave, inspektor të mjedisit dhe punonjës të OSHEE-së.

Prej muajit maj deri më tani, janë nën hetim 27 zyrtarë. Konkretisht janë 18 kryepleq, 13 prej të cilëve janë proceduar dhe 5 arrestuar. Të proceduarit janë në gjendje të lirë, pasi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa të arrestuarit dyshohen si të implikuar direkt në kultivimin e lëndëve narkotike.

Rasti i fundit që policia arrestoi kryeplak fshati ishte një javë më parë. Efektivë të komisariatit numër 4 vunë në pranga Abaz Gjedikun, kryeplak i fshatit Shëngjin i Vogël të njësisë Administrative Zall-Bastar, pasi u gjetën bimë kanabisi me lartësi deri në 1.5 metër.

Gjashtë inspektor mjedisi janë gjithashtu duke u verifikuar nga autoritetet, pasi akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për të parandaluar këtë fenomen. Ndërkohë 3 punonjës të OSHEE-së janë vënë në pranga pasi kanë favorizuar kultivuesit duke lidhur energjinë elektrike, por dhe nuk kanë kryer kontrolle për të konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë.

Numri më i lartë i zyrtarëve të implikuar është në qarkun e Kukësit, për të vijuar me Tiranën dhe më pas qytetet e tjera, si Shkodra, fushe-Kruja, Berati dhe Vlora.

Gjatë operacioneve ku u evidentuan dhe zyrtarët e shtetit, blutë arrestuan dhe 46 kultivues si dhe shpallen në kërkim 30 të tjerë./ Klan News

Të Fundit