26 vjet nga masakra e Srebrenicës, BE: Europa nuk ka vend për mohuesit e gjenocidit

Dita e sotme shënon 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më e madhja në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa më shumë se 1 mijë konsiderohen ende të zhdukur. Edhe pse e shpallur nga OKB një strehë e sigurt për civilët, Srebrenica u bë skena e një masakre nga ushtarët serbë, të cilët e kishin rrethuar qytetin prej vitesh. Liderët serbë të kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe komandanti ushtarak Ratko Mladiç, të cilët drejtuan forcat që pushtuan Srebrenicën më 11 korrik 1995, u dënuan më vonë me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e OKB-së për krime lufte.

Gjykatat ndërkombëtare e cilësuan gjenocid me qëllim shfarosjen e popullatës myslimane masakrën e më shumë se 8 000 njerëzve. Viktimat u varrosën në varreza masive, të cilat u rihapën nga autorët menjëherë pas luftës dhe u zhvendosën për të fshehur krimin. Edhe pse është cilësuar gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, zyrtarët e Serbisë dhe serbët e Bosnjës nuk pranojnë ta përdorin termin për masakrën e Srebrenicës.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, dhe shefi i politikës së Jashtme europiane, Joseph Borrell, thanë sot në një deklaratë të përbashkët se në Europë nuk ka vend për mohuesit e gjenocidit.

“Teksa shënojmë 26-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, është detyra jonë e përbashkët që ta kujtojmë atë përgjithmonë. Në Evropë nuk ka vend për të mohuar gjenocidin, revizionizmin dhe për të lartësuar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, thanë ata.

Të Fundit