20 mln euro donacione për tërmetin, KLSH: Asnjë informacion se si janë përdorur

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se procesi i rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 nuk i ka ofruar trajtimin e duhur personave që kanë humbur familjarët apo të mbetur të pastrehë.

KLSH në raportin e auditit për Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe Komisionin Shtetëror të Rindërtimit për periudhën 10.01.2020-30.04.2021 thekson se ka pasur mungesë të eficencës në përmbushjen e detyrave.

Sipas raportit, Ministri për Rindërtimin nuk ka dokumentuar ndjekjen e zbatimit të detyrave të institucioneve përgjegjëse për të trajtuar shtetasit e prekur nga tërmeti.

Edhe përgatitja e projekteve për procesin e rindërtimit nuk është dokumentuar, çka ka shkaktuar mos përfundimin në një afat sa më të shkurtër të eliminimit të pasojave të shkaktuara nga tërmeti vëren KLSH.

“Në vitin 2020 ministria ka raportuar në KLSH donacione për tërmetin në vlerën e rreth 20 milionë eurove. Megjithatë nuk ka asnjë informacion se si janë përdorur këto para dhe për transparencën e përdorimit të tyre”, thuhet në raport.

KLSH ka vënë re se ka pasur vonesë dhe mungesë cilësie në realizimin e programeve të rindërtimit sepse Ministri për Rindërtim nuk ka dokumentuar ushtrimin e kompetencave të tij në lidhje me ngarkimin me detyra të institucioneve përgjegjëse.

Të Fundit